Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet operacionale për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestës së lajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, e cila do të mbahet sot në orën 12:00 në sheshet e Prishtinës.
Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës bën të ditur se e njeh të drejtën e qytetarëve për protestë të qetë e demokratike dhe konfirmon se zyrtarët kompetentë kanë mbajtur tashmë një takim koordinues me përfaqësuesit e OVL-UÇK-së për organizimin dhe masat e sigurisë.
Gjithashtu, policia iu bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të tregojnë kujdes e maturi, të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të mos hedhin mjete të forta dhe të mos përdorin maska gjatë protestimit.
Për shkak të lëvizjes së protestuesve, në disa rrugë që shpien drejt shesheve të kryeqytetit mund të ketë kufizime apo ndërprerje të përkohshme të trafikut, ndërsa njësitë patrulluese do të kujdesen për riorientimin e automjeteve në rrugë alternative. /E.A/
