Policia e Kosovës në Gjakovë ka arrestuar një zyrtar komunal i cili dyshohet për përfshirje në veprën penale “marrje ryshfeti”. Hetimet janë kryer nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë.
Sipas njoftimit të Policisë, hetimet janë iniciuar pas pranimit të informatave relevante për ryshfet nga një zyrtar komunal dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, është zbatuar një masë e veçantë e hetimit me urdhër të Gjykatës kompetente.
Gjatë realizimit të masës janë siguruar prova materiale që lidhen me veprën penale.
“Paratë që ishin objekt i simulimit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Personi i dyshuar është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij, ku ka vendosur të ushtrojë të drejtën për të mbetur në heshtje. Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim të plotë me prokurorin kompetent”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas intervistimit, prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh ndaj të dyshuarit.
Sipas Policisë, hetimet janë në fazë fillestare dhe do të vazhdojnë në drejtim të ndriçimit të plotë të rastit.