UBT News

Policia e Kosovës apelon për kujdes nga mesazhet mashtruese dhe dokumentet e falsifikuara

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar pasi janë diktuar mesazhe mashtruese dhe dokumente të falsifikuara, të cilat po qarkullojnë duke keqpërdorur në mënyrë të paautorizuar emrin, logot, vulat dhe nënshkrimet e institucioneve vendëse.

Autoritetet sqarojnë se dokumentet e tilla nuk përfaqësojnë njoftime zyrtare të Policisë së Kosovës, ndaj u kërkohet qytetarëve që të mos u përgjigjen kërkesave të dyshimta, të mos ndajnë të dhëna personale apo bankare dhe të mos dërgojnë informacione përmes adreshash të paverifikuara.

Aktualisht, Policia po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës, ndërsa rikujton se çdo informacion zyrtar duhet të merret vetëm përmes kanaleve zyrtare institucionale.

Këshillat e Policisë për qytetarët:

Udhëzime të menjëhershme: Shmangni klikimin në linqe të dyshimta, mos jepni të dhëna bankare apo personale dhe mos hapni faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.

Veprimet në rast se pranoni mesazhe të tilla: Fshijeni mesazhin menjëherë, raportojeni te autoritetet dhe kontaktoni bankën tuaj nëse keni ndarë të dhëna financiare.

Rastet e mashtrimeve mund të raportohen në polici përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin pa pagesë 192.

 

Exit mobile version