UBT News

Policia bastis 50 lokacione, arreston 34 persona

Policia e Kosovës ka arrestuar 34 persona gjatë një aksioni të gjerë të zhvilluar në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt, në kuadër të luftimit të veprimtarive të kundërligjshme që lidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Sipas një komunikate për media, gjatë operacionit janë kontrolluar rreth 50 lokacione të ndryshme, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private.

Gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, si dhe pajisje e materiale të tjera që dyshohet se janë përdorur për zhvillimin e aktiviteteve ilegale.

Me vendim të prokurorit, 29 të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

Policia ka bërë të ditur se veprime të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga njësitë rajonale të hetimeve dhe stacionet përkatëse policore, duke rezultuar në parandalim të rasteve dhe arrestim të personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Në kuadër të këtij operacioni janë përfshirë edhe veprime policore në Skenderaj, ku janë kontrolluar 15 lokacione, janë arrestuar tetë persona dhe katër prej tyre janë dërguar në mbajtje.

“Ky operacion përfaqëson një angazhim të fuqishëm dhe të koordinuar institucional në luftimin e krimeve të rënda, krimit ekonomik dhe aktiviteteve të paligjshme që cenojnë rendin juridik dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar më herët se në një aksion në Mitrovicë dhe Vushtrri janë arrestuar 26 persona.

Në një postim në Facebook, ai ka bërë të ditur se aksioni kishte në shënjestër veprimtaritë e dyshimta që lidhen me skemat piramidale dhe bixhozin e paligjshëm, ndërsa janë sekuestruar rreth 150 mijë euro që dyshohet se burojnë nga këto aktivitete.

“Me të njëjtin përkushtim në të gjithë territorin e Kosovës: luftimin e kriminalitetit pa kompromis. Përveç aksionit anti-drogë në Pejë, u zhvillua edhe një aksion tjetër i madh në dhjetëra lokacione në Mitrovicë dhe Vushtrri”, ka shkruar Sveçla.

Exit mobile version