UBT News

Policët e dyshuar në Lipjan dalin sot para gjykatës

Seanca dëgjimore ndaj pesë policëve të dyshuar për rastin e vdekjes së 27 vjeçarit, Agon Zejnullahu, do të mbahet sot në orën 10:30 në Lipjan.

Zejnullahu ka vdekur në orët e para të datës 7 korrik, në Lipjan.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës u tha se Zejnullahu dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur u ndalua nga zyrtarët policorë.

Pas rastit, Inspektorati Policor i Kosovës bëri të ditur arrestimin e pesë zyrtarëve të përfshirë në rast, derisa autoritetet po vazhdojnë hetimet.

Sipas pamjeve që janë shpërndarë media dhe rrjete sociale, i ndjeri shihet me duar të lidhura.

Ky rast ka nxitur reagime të shumta dhe kritika për mënyrën se si policia e ka menaxhuar këtë rast, ndërkohë që thuhet Zejnullahu mund të ketë vdekur nga ngufatja.

Instituti i Mjekësisë Ligjore, tha të martën se ende nuk ka dalur raport mbi rastin e vdekjes së 27 vjeçarit në Lipjan.

Vëllai i viktimës, derisa ka folur më herët për KosovaPress, ka thënë se Agon Zejnullahu është pranuar pa shenja jete në Qendrën Emergjente në Lipjan, me dhjetëra shenja në trup.

Sipas tij, “policia është shmangur nga familja dhe nuk ka dhënë asnjë informacion të detajuar për ngjarjen”.

Për rastin ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila ka bërë thirrje për transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale.

Ndërkaq, në reagimin e ministrit në detyrë të Brendshëm, Xhelal Sveçla, është thënë se hetimet po zhvillohen me intensitet maksimal.

Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Exit mobile version