Mesfushori francez, Paul Pogba i është përgjigjur spekulimeve që ka tensione mes tij dhe trajnerit të Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, e po ashtu ka mohuar që është duke i zvarritur bisedimet rreth kontratës së re me klubin.
Raportohej se Pogba është duke e konsideruar të ardhmen e tij në “Old Trafford” pas humbjes së thellë 5:0 kundër Liverpoolit në Premier Ligë, ndeshje kjo në të cilën ylli francez u largua nga loja me të kuq vetëm pak minuta pasi kishte hyrë si zëvendësues në pjesën e dytë.
Sidoqoftë, Pogba tani ka reaguar në llogarinë e tij sociale në Instagram, duke i cilësuar këto spekulime si të pavërteta.
“Përsëri mediat dëshirojnë të krijojnë polemika me lajme 100% të pavërteta. Gënjeshtra të mëdha për të tërhequr vëmendje. Gazetarë të cilët përdorin emrin tim për tu vërejtur, kur nuk ka asgjë për tu parë”, tha Pogba në llogarinë e tij sociale në “Instagram”.
“E vetmja arsye që i adresohem këtyre spekulimeve është për shkak të respektit që kam ndaj trajnerit, klubit dhe tifozëve, për të cilët kam një mesazh të qartë. Sa më pak që lexoni nga këta gazetarë, aq më mirë do të jeni, ata nuk ndalen dhe do të flasin gjithmonë gjëra pa bazë”, shtoi ylli francez.
Kontrata aktuale e Paul Pogbas do të skadojë në fund të vitit 2022, ku vazhdimisht ka pasur spekulime që mesfushori francez mund të rikthehet në Serie A, te gjigandi italian Juventus.