Paul Pogba e ka treguar dëshirën e tij për të ndjekur rrugën e legjendave të Juventusit pas rikthimit të tij te gjiganti italian, pas një periudhe gjashtë vjeçare te Manchester United.
Fituesi i Kupës së Botës u rikthye te Juventusi para fillimit të sezonit aktual, por ende nuk ka bërë asnjë paraqitje në aventurën e tij të dytë në Serie A për shkak të lëndimit.
Pogba shpreson që të bëhet një legjendë e klubit sikurse Andrea Pirlo, Gianluigi Buffon dhe Giorgio Chiellini, me të cilët kishte luajtur përkrah në aventurën e tij të parë te Juventusi.
“Kam mësuar shumë, ishte absolutisht ndryshe nga eksperienca ime e parë. Më duhej të merrja më shumë përgjegjësi te Juventusi se sa herën e parë kur isha këtu, pasi që atëherë kisha lojtarë me eksperiencë të madhe përkrah meje”, tha Pogba.
“Tani e shikoj vetën dhe mendoj se unë duhet të bëhem si këta lojtarë, si Pirlo, Buffon, Chiellini. Dhe tani është mbi mua që të bëjë te Juventusi atë që kanë bërë ata”, shtoi më tej Pogba.
Gjatë aventurës së tij të parë me Juventusin, Paul Pogba kishte arritur të bëjë 178 paraqitje në të gjitha garat me gjigantin italian, duke regjistruar 34 gola dhe 40 asistime mbi emrin e tij.