Poeti rus, Artyom Kamardin u dënua me shtatë vjet burg të enjten nga Gjykata e Qarkut Tverskoi e Moskës për recitimin e vargjeve kundër luftës së Rusisë në Ukrainë.
Ai u akuzua për thirrje për minimin e sigurisë kombëtare dhe nxitje të urrejtjes gjatë një incidenti ku lexoi poezitë e tij kundër luftës në një shfaqje në rrugë në Moskë në shtator të vitit 2022. Mbledhja u mbajt pranë një monumenti të poetit Vladimir Mayakovsky.
Gjykata dënoi edhe Yegor Shtovban, i cili mori pjesë në ngjarje dhe recitoi vargjet e Kamardinit, me pesë vjet e gjysmë për të njëjtat akuza.
Miqtë dhe avokati i Kamardin thanë se ai ishte rrahur dhe sulmuar seksualisht nga policia, raportojnë mediat ruse. Më vonë, mediat pro-qeveritare publikuan një video ku ai kërkon falje për veprimet e tij, ku fytyra e tij ishte e mavijosur.
Gjatë seancës, bashkëshortja e Kamardinit, Alexandra Popova, u shoqërua nga salla e gjyqit, pasi ajo brohoriti “turp” pas vendimit. Ajo dhe disa të tjerë u arrestuan më vonë me akuzën për mbajtje të një tubimi të paligjshëm jashtë gjykatës./UBTNews/