Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar se klubi po punon për ngritjen e një statuje të Lionel Messit jashtë stadiumit të rinovuar Camp Nou, si homazh për legjendën argjentinase.
Messi, 38 vjeç, u rikthye në Barcelonë fundjavën e kaluar për të vizituar stadiumin e ri për herë të parë që nga largimi i tij në vitin 2021, ndërsa më pas tha se shpreson të kthehet një ditë.
Laporta deklaroi se Messi do të jetë gjithmonë i lidhur me Barcën dhe se ai meriton një nderim të përhershëm, ashtu si ikonat Johan Cruyff dhe Laszlo Kubala.
Gjithashtu, ai shtoi se projekti është diskutuar nga bordi dhe tani po punohet për realizimin e tij, duke pritur edhe dakordimin e familjes.
Presidenti i Barcelonës përjashtoi rikthimin e Messit si lojtar, duke thënë se kjo është e pamundur për shkak të kontratës së tij me Inter Miamin.
Messi është lojtari më i mirë në historinë e klubit, me 672 gola në 778 ndeshje dhe një koleksion trofesh që përfshin 10 tituj të La Ligës dhe katër Liga të Kampionëve.
Camp Nou u rihap të premten pas gati 900 ditësh rinovimi, ndërsa Laporta tha se klubi synon të organizojë “homazhin më të bukur në botë” për Messin sapo të përfundojë projekti./S.K/KP/
