UBT News

Plani i Bidenit për ndarjen e vaksinave me botën

Presidenti Joe Biden ka dhënë më shumë detaje se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë t’i ndajnë 80 milionë doza të vaksinës antiCOVID me vendet e tjera, teksa njoftoi se 25 milionë doza do të shpërndahen në Amerikën Latine, Karaibe, Azi dhe Afrikë.

Pas muajsh presioni në rritje nga bashkësia ndërkombëtare, administrata e Bidenit tha muajin e kaluar se po planifikonte të dërgonte 80 milionë doza vaksinash kundër COVID-19 të miratuara nga ShBA jashtë shtetit deri në fund të qershorit, por nuk përshkroi se cilat kontinente ose vende do të përfitonin deri më tani.

“Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë përpjekjet për të vaksinuar çdo amerikan dhe për ta mposhtur pandeminë në vendin tonë, ne konsiderojmë se luftimi i kësaj pandemie nënkupton luftimin e saj çdokund”, deklaroi Biden.

Sipas Bidenit, nga 25 milionë dozat e para që do të dërgohen jashtë vendit, 19 milionë prej tyre do të shpërndahen përmes COVAX-it, iniciativa globale për ndarjen e vaksinave, ku rreth 7 milionë doza do të shkojnë në Amerikën Latine dhe Karaibe, rreth 7 milionë në Azinë Jugore dhe Juglindore dhe afërsisht 5 milionë në Afrikë.

Dozat do ta ndihmonin edhe COVAX-in, që deri më tani ka ndarë vetëm 76 milionë doza me vendet në nevojë.

6 milionët e mbetur do të administrohen nga Shtëpia e Bardhë për aleatët dhe partnerët e ShBA, duke përfshirë Meksikën, Kanadanë, Korenë e Jugut, Bregun Perëndimor dhe Gaza, Indinë, Ukrainën, Kosovën, Haitin, Gjeorgjinë, Egjiptin, Jordaninë, Irakun dhe Jemenin, si dhe për punëtorët e vijës së frontit të Kombeve të Bashkuara.

“Ne po ndajmë këto doza për të mos siguruar favore ose për të nxjerrë koncesione”, deklaroi presidenti. “Ne po ndajmë këto vaksina për të shpëtuar jetë dhe për ta ndihmuar botën për t’i dhënë fund pandemisë, me fuqinë e shembullit tonë dhe me vlerat tona”, shtoi ai.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, deklaroi se “ky është vetëm fillimi”.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se vaksinat që do të shpërndahen janë Pfizer, Moderna dhe Johnson&Johnson. Gjatë muajve në vijim priten edhe shumë doza të tjera./UBTNews

Exit mobile version