Administrata amerikane pritet të bëjë publik një program të ri për të zhvendosur disa afganë si refugjatë në Shtetet e Bashkuara, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar një zyrtar të administratës dhe dy burime tjera që kanë njohuri me këtë çështje.
Sipas tyre, Departamenti amerikan i Shtetit, do të bëjë publik më 2 gusht, krijimin e programit të refugjatëve që janë në grupin e dytë me prioritet.
Departamenti amerikan i Shtetit ende nuk është përgjigjur në kërkesën për koment, ka thënë Reuters.
Këto raportime vijnë teksa grupi militant i talibanëve vazhdon të rrisë territoret që kontrollon në Afganistan, si dhe në kohën kur forcat amerikane dhe trupa tjera të huaja janë në përfundim e sipër të procesit të largimit nga ky shtet.
Presidenti amerikan, Joe Biden është përballur me presion nga ligjvënësit dhe grupet për të dreja të njeriut për t’iu ndihmuar afganëve që rrezikojnë të shënjestrohen nga talibanët, për shkak të bashkëpunimit me SHBA-në gjatë 20 vjetëve të luftës.
Biden është zotuar se afganëve, që i kanë ndihmuar ushtrisë amerikane, nuk do t’iu kthehet shpina, teksa largohen forcat ndërkombëtare nga Afganistani.
“Ata që na kanë ndihmuar, nuk do t’i lëmë prapa”, ka thënë Biden nga Shtëpia e Bardhë më 24 qershor, një ditë pasi është takuar me presidentin afgan, Ashraf Ghani dhe udhëheqësin e Këshillit të Lartë për Pajtim Kombëtar, Abdullah Abdullah.
Zyrtarë të administratës kanë qenë të kujdesshëm kur kanë diskutuar planet për zhvendosje, për shkaqe të sigurisë.
Reuters ka raportuar se disa zyrtarë të administratës kanë thënë se programi i ri do të përfshijë afganët që kanë punuar në projektet e financuara nga SHBA-ja, si dhe për organizatat joqeveritare dhe mediat që kanë bazën në SHBA.
Këta afganë nuk janë kualifikuar për programin e vizave speciale të imigrimit, përmes së cilit është siguruar jetesa në SHBA për përkthyesit që kanë punuar për Qeverinë amerikane, si dhe familjet e tyre.
Reuters ka raportuar se 200 aplikantë, nën programin për viza speciale, kanë arritur javën e kaluar në SHBA, duke nisur procesin e evakuuimit që mund të përfshijë rreth 50.000 persona.
Largimi i trupave ndërkombëtare ka krijuar paqartësi të mëdha në Afganistan, sidomos kur po zgjerohet territori i talibanëve.
Disa ligjvënës amerikanë kanë thënë hapur se shqetësohen për kthimin e talibanëve në pushtet, për kthimin mbrapa në fushën e të drejtave të grave dhe kthimin e vajzave nën rregullin e ashpër të Islamit, sikurse në kohën kur talibanët kanë qenë në pushtet, në periudhën 1996-2001.
Gazeta amerikane The Wall Street Journal, ka raportuar se një raport i ri i inteligjencës amerikane tregon se talibanët mund ta pushtojnë Kabulin brenda gjashtë muajve.
Raporti është thënë të jetë hartuar pas rishikimit të analizave të së kaluarës, që tregonin se Qeveria afgane mund të jetë në pushtet edhe për dy vjet tjera, pas largimit të trupave ndërkombëtare.
Rreth 650 trupa amerikane pritet të mbesin në Afganistan për të ofruar siguri për diplomatët, pasi forcat amerikane të largohen nga ky shtet, kanë thënë disa zyrtarë të paidentifikuar për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Sipas zyrtarëve, qindra trupa tjera amerikane do të qëndrojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, potencialisht deri në shtator, për t’iu ndihmuar trupave turke që të ofrojnë siguri./rel