UBT News

PISA 2025: Rënie në matematikë, Kosova mbetet nën OECD

Sipas rezultateve, Kosova ka marrë mesatarisht 357 pikë në shkencë, 340 pikë në lexim dhe 350 pikë në matematikë. Krahasuar me vitin 2022, rezultati në shkencë ka mbetur i njëjtë, leximi ka rënë nga 342 në 340 pikë, ndërsa matematika nga 355 në 350 pikë.

Rezultati më i lartë është shënuar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me 359 pikë. Megjithatë, rezultatet e Kosovës në të gjithë treguesit kryesorë mbeten nën mesataren e vendeve të OECD-së.

Raporti tregon gjithashtu performancë më të lartë të vajzave, veçanërisht në shkencë dhe lexim. Në shkencë vajzat kanë marrë 366 pikë, ndërsa djemtë 347, kurse në lexim diferenca është edhe më e madhe, 358 pikë për vajzat dhe 322 për djemtë. Në matematikë rezultatet janë pothuajse të barabarta.

Vetëm rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë kanë arritur të paktën Nivelin 2 në shkencë, ndërsa në matematikë kjo përqindje është 15 për qind dhe në lexim rreth 16 për qind.

Raporti rekomandon përmirësimin e cilësisë së të nxënit, si dhe përdorimin më efektiv të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale për kërkim, analizë, verifikim dhe krijim të pavarur të njohurive.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se rezultatet do të analizohen në detaje dhe do të shërbejnë si bazë për ndërhyrjet dhe përmirësimet në Strategjinë e re të Arsimit.

Në PISA 2025, në krye të renditjes u pozicionuan Kina dhe Singapori./A.K/

Exit mobile version