UBT News

​Pirlo merr drejtimin e një tjetër skuadre si trajner

Ish-ylli i AC Milan, Juventus dhe Inter Milan, Andrea Pirlo, ka nisur një aventurë të re si trajner, duke marrë drejtimin e klubit Dubai United në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai rikthehet në stol pas një periudhe pushimi, ndërsa klubi nga Dubai, që luan në divizionin e dytë të kampionatit të Emirateve, e ka prezantuar zyrtarisht si trajnerin e ri.

Pirlo, fitues i Kupës së Botës 2006, së fundmi kishte drejtuar Sampdorian. Dubai United është klubi i tij i dytë jashtë Italisë, pas eksperiencës me skuadrën turke Karagumruk në sezonin 2022/2023. Më herët, gjatë sezonit 2020/2021, ai ishte trajner i Juventusit, me të cilin fitoi Kupën dhe Superkupën e Italisë.

“Fitues i Kupës së Botës 2006 dhe një ikonë e futbollit global, Pirlo sjell me vete një vizion unik dhe përvojë të rëndësishme si trajner, të fituar në stolat e Juventusit dhe Sampdorias. Emërimi i tij përfaqëson një kapitull të ri dhe ambicioz për United FC”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

Kryetari i klubit, Ilie Cebanu, deklaroi: “Jemi krenarë që e mirëpresim Andrean në familjen e United FC. Ai mishëron vlerat dhe ambiciet e klubit tonë dhe jemi të bindur se do të jetë një figurë kyçe në çuarjen e klubit në një nivel më të lartë.”

 

Exit mobile version