Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, ka këmbëngulur se skuadra e tij nuk do të kërkojë hakmarrje kundër Interit në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, duke thënë se bardhezinjtë e kanë harruar disfatën kundër zikaltërve në ligë.
Interi dhe Juventusi do të përballen dy herë në gjysmëfinale të Kupës së Italisë muajin e ardhshëm.
Takimi i parë do të zhvillohet më 2 shkurt në San Siro, ndërsa ai i kthimit më 9 shkurt në Torino. Interi e mundi Milanin 2:1 për të arritur në gjysmëfinale, derisa Juventusi e kaloi lehtësisht 4:0 SPAL-in.
Duke folur pas fitores ndaj SPAL-it të mërkurën, Pirlo tha se Juventusi e ka harruar tashmë disfatën e para dy javëve 2:0 kundër Interit në Serie A.
“Ndeshja në Milano ishte në ligë dhe është harruar. Ne do të përballemi në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë me dëshirë shumë të madhe për ta arritur në finale”, tha Pirlo.
“Janë ndeshje të ndryshme, e kemi harruar atë nga e diela e kaluar dhe po përgatitemi për ndeshjen e ardhshme”, shtoi ai.