Mbrojtësi Gerard Pique është optimist që Barcelona mund t’i rikthehet garës për trofe, pas startit jo të mirë në sezonin e ri, ku edhe ka treguar që trajneri Ronald Koeman ka përkrahjen e krerëve të klubit.
Pas barazimit të parë pa gola kundër Cadiz në 27 ndeshje kundër tyre, Barcelona ka arritur të regjistrojë vetëm dy fitore në pesë xhirot e para të La Ligas.
Pavarësisht rezultateve jo të mira në këtë sezon, Pique ka bërë thirrje për të qëndruar të bashkuar, që t’i zgjidhin problemet brenda dhe jashtë fushës.
“Jemi duke kaluar nëpër një situatë me të cilën nuk jemi mësuar. Këto janë vite jo të mira, kemi ndërruar presidentin, dhe kemi ndërruar trajnerë. Së bashku duhet të bëjmë më të mirën që të arrijmë paqe brenda klubit”, tha Pique.
“Të gjithë duan të fitojnë. Ka shumë mënyra për të zgjidhur atë gjë. Të gjithë mund të ankohemi, ose të gjithë duhet të punojmë. Lojtarët janë këtu për të punuar. Mos të zgjedhim anë, jemi të gjithë përkrah presidentit dhe trajnerit. Nuk mund të kontrollojmë spekulimet rreth klubit, dhe nuk duhet të mendojmë rreth tyre”, shtoi Pique.
Barazimi pa gola mbrëmë kundër Cadizit nënkupton që Barcelona tani ka shënuar vetëm tetë gola në pesë ndeshje, rekord ky jo i mirë që prej sezonit 2003/04.