UBT News

“Pikë Uji”: Filmi i ri shqiptar që sfidon kufijtë e pushtetit dhe dashurisë prindërore

Prej sot, 12 shtator, filmi më i ri shqiptar “Pikë uji” do të shfaqet në kinematë e Tiranës. Ky projekt i fundit është krijuar nga regjisori Robert Budina dhe producentja Sabina Kodra, nën prodhimin e Erafilm Productions.

“Pikë uji” është mbështetur financiarisht nga një sërë institucionesh, përfshirë Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, MIBAC, QKK Kosovë, Agjencinë e Filmit të Maqedonisë së Veriut, si dhe Creative Europe Media dhe SEE.

Në qendër të këtij filmi thrillero-psikologjik, që është shkruar nga Robert Budina, Doruntina Basha dhe Ajola Daja, ndodhet historia e Aidës, një grua që ka arritur majat e pushtetit në qytetin e saj. Ajo ka gjithçka që dëshiron: para, influencë dhe një karrierë të suksesshme. Por kur një krim i papritur kërcënon të shkatërrojë gjithçka, dhe djali i saj, Marku, përfshihet në një akuzë të rëndë, bota e Aidës fillon të lëkundet. Filmi eksploron sa larg është e gatshme të shkojë Aida për të mbrojtur të birin dhe çmimin e vërtetë të pushtetit dhe dashurisë prindërore.

“Pikë uji” përfshin një kast aktorësh të njohur nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe vende të tjera, duke e bërë atë një projekt të veçantë dhe ndërkombëtar në fushën e kinemasë./UBTNews/

 

Exit mobile version