UBT News

Pianistja Melisa Ibrahimi nderohet me dy tituj ndërkombëtarë në Spanjë

Pianistja nga Kosova, Melisa Ibrahimi, është vlerësuar me dy tituj ndërkombëtarë nga World Piano Association Spain, duke shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj artistike në arenën evropiane.

Ibrahimi është nderuar me titujt “Award of Supreme Excellence” dhe “Artistic Ambassador of Kosovo – Spain”, të cilët i janë dhënë në shenjë vlerësimi për kontributin e saj artistik dhe përfaqësimin e Kosovës përmes muzikës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, pianistja ka theksuar se ndihet thellësisht e nderuar nga ky vlerësim, duke e cilësuar atë si një simbol të rëndësishëm të lidhjes kulturore mes Kosovës dhe Spanjës.

“Jam thellësisht e nderuar nga World Piano Association Spain me këtë titull prestigjioz. Ky vlerësim përfaqëson një simbol të fuqishëm të përfaqësimit të Kosovës në Spanjë, një urë e ndërtuar përmes muzikës, përkushtimit dhe pasionit të palëkundur,” ka deklaruar Ibrahimi.

Ajo ka shtuar se mbajtja e këtij titulli përfaqëson përgjegjësi për të vazhduar ndërtimin e një karriere ndërkombëtare dhe për të përfaqësuar vendin e saj me dinjitet në skenën artistike.

Pianistja ka shprehur mirënjohje për të gjithë mbështetësit dhe institucionet që e kanë përkrahur gjatë rrugëtimit të saj artistik në Spanjë prej tre vitesh, duke veçuar profesorin Giuseppe Devastato për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe z. Pierro për dorëzimin e çmimit.

Ky vlerësim konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në karrierën e Melisa Ibrahimit, duke forcuar prezencën e artistëve kosovarë në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike.

Exit mobile version