UBT News

Pianistja kosovare Lule Elezi performon në festivalin prestigjioz në Poloni

Pianistja e njohur kosovare, Lule Elezi, është prezantuar me sukses para publikut polak në kuadër të festivalit “Supraska Wiosna Chopinowska”, që u mbajt në qytetin Supraśl të Polonisë.

Përmes një koncerti recital, Elezi interpretoi para një audience të gjerë, duke sjellë një mbrëmje të veçantë artistike në një nga ngjarjet kulturore të njohura të këtij rajoni.

Pianistja ka bërë të ditur se performanca në Supraśl ishte një përvojë e veçantë, duke e cilësuar si një mbrëmje që krijoi një lidhje të fortë emocionale mes saj dhe publikut.

“Në një qytet ku natyra, spiritualiteti dhe arti bashkëjetojnë në harmoni të plotë, pata kënaqësinë të mbaj koncert recital në kuadër të festivalit ‘Supraska Wiosna Chopinowska’. Kjo mbrëmje u bë urë e padukshme mes emocioneve të mia dhe ndjeshmërisë së publikut”, ka shkruar Elezi.

Ajo ka falënderuar organizatorët e festivalit, institucionet kulturore vendore dhe publikun për mikpritjen dhe mbështetjen, duke e cilësuar koncertin si një përvojë të paharrueshme.

Paraqitja e saj në Poloni është një tjetër sukses në karrierën ndërkombëtare të pianistes kosovare, e cila vazhdon të përfaqësojë Kosovën në skena dhe festivale të rëndësishme muzikore në Evropë. /A.K/

Exit mobile version