Dy doza të vaksinës Pfizer ose AstraZeneca kundër COVID-19 janë gati po aq efektive kundër variantit shumë të transmetueshëm Delta krahasuar me efektet kundër variantit më parë dominues Alpha, sipas një studimi të ri.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kërkimi i botuar në New England Journal of Medicine të mërkurën tregoi se vaksinat ishin shumë efektive kundër variantit Delta, tani lloji dominues në të gjithë botën, me kusht që një person të kishte marrë të dy dozat.
Studimi konfirmon gjetjet kryesore të dhëna nga Shëndeti Publik i Anglisë (PHE) në maj rreth efikasitetit të vaksinave kundër COVID-19 të bëra nga Pfizer-BioNTech dhe Oxford-AstraZeneca bazuar në të dhënat e fundit.
Kështu, studimi i së mërkurës zbuloi se Pfizer ishte 88 për qind efektiv në parandalimin e sëmundjes simptomatike nga varianti Delta me të dyja dozat, krahasuar me 93.7 për qind kundrejt variantit Alpha, gjerësisht e njëjtë me atë të raportuar më parë.
Ndërsa dy doza të vaksinës AstraZeneca ishin 67 për qind efektive kundër variantit Delta, nga 60 për qind e raportuar fillimisht, dhe 74.5 për qind e efektshme kundër variantit Alpha, krahasuar me një vlerësim origjinal të efektivitetit prej 66 për qind.
“Vetëm ndryshimet modeste në efektivitetin e vaksinës u vunë re me variantin Delta krahasuar me variantin Alpha pas marrjes së dy dozave të vaksinës”, shkruajnë studiuesit e Shëndetit Publik në Angli.
Ndryshe, të dhënat nga Izraeli kanë vlerësuar se vaksina e Pfizer është më pak efektive kundër sëmundjes simptomatike, megjithëse mbrojtja ndaj sëmundjes së rëndë mbetet e lartë.