Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka njoftuar se është pezulluar vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit, i cili ishte paralajmëruar të hynte në fuqi më 1 shtator.
Sipas shoqatës, vendimi është pezulluar pas një takimi mes përfaqësuesve të institucioneve përkatëse dhe përpunuesve të qumështit.
“Rrjedhimisht, grumbullimi i qumështit do të vazhdojë deri në një vendim apo njoftim tjetër”, thuhet në njoftim.
Më herët, përfaqësues të Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës kishin dorëzuar në Ministrinë e Bujqësisë kërkesat e tyre, duke kërkuar takim me ministrin në detyrë, Armend Muja, si dhe rikthimin e menjëhershëm të prodhimit të produkteve të qumështit.
Qumështoret kanë kërkuar gjithashtu nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë një komunikatë zyrtare për sigurinë e produkteve të industrisë vendore, si dhe anulimin e vendimit të 15 majit 2026, me numër 1414.
Një tjetër kërkesë e tyre është që Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të ndërmarrë masa ndaj çmimeve që industria i konsideron dumping në tregun e produkteve të qumështit.
Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Qumështit, Gani Durmishaj, ka thënë se këto kërkesa janë dorëzuar edhe zyrtarisht me shkrim.
Pas pezullimit të vendimit, grumbullimi i qumështit nga fermerët do të vazhdojë, ndërsa ata do të njoftohen me kohë për çdo zhvillim të mëtejshëm./A.K/
