Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Muharrem Nitaj ka njoftuar përmes një shkrese zyrtare se ka vendosur pezullimin e përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv të “Postës së Kosovës”.
“Në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, e cila është aksionare në Ndërmarrjen Posta e Kosovës, dhe me rekomandim të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, kam kërkuar pezullimin e përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të ‘Posta e Kosovës’”, thuhet në komunikatën e MEA-s.
Ndër arsyet kryesore të kërkesës për pezullim, siç thuhet në komunikatë, ka qenë fakti se nuk është respektuar neni 15.1 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike, ku thuhet se të gjithë anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjeve Publike, zgjedhën në një mandat trevjeçar, ndërkohë që Bordi mori vendim që kryeshefi ekzekutiv, që njëkohësisht është anëtar i Bordit të Drejtorëve, të zgjidhej në mandat pesëvjeçar. Arsyeja tjetër është se Qeveria në detyrë është në përfundim të mandatit të saj dhe është më se e arsyeshme që Qeveria e re të procedojë me emërimet e reja të drejtuesve të ndërmarrjeve publike.
Më tej thuhet se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit muaj më parë ka kërkuar në vazhdimësi nga bordet e përkohshme që të mos procedohet me rekrutimin dhe përzgjedhjen e zyrtarëve të lartë në ndërmarrjet publike./UBTNews