Ish-sulmuesi i Interit, Gabriel Barbosa është pezulluar për dy vite pasi ka mashtruar në testet anti-doping. Sulmuesi brazilian u procedua nga Gjykata Sportive Antidoping në një seancë që zgjati rreth dy orë.
Lojtari bëri të ditur se do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Vendimi u mor me pesë vota që e fajësonin dhe katër që e konsideronin të pafajshëm futbollistin.
Gabigol është akuzuar se ka shkelur nenin 122 të Kodit Brazilian të Antidopingut, që i referohet mashtrimit apo tentativës së mashtrimit në çdo fazë të procesit të kontrollit. Kodi parashikon pezullimin deri në katër vite në rast dënimi.
Sipas hetuesve lojtari nuk ju drejtua atyre para stërvitjes, pastaj i injoroi dhe shkoi për të drekuar duke i trajtuar me mungesë respekti.
Sapo u vu në dijeni të vendimit Flamengo ,klubi ku luan Gabigol doli me një komunikatë ku thuhet: “Clube de Regatas do Flamengo, mori në konsideratë përfundimin e procesit kundër atletit Gabriel Barbosa, me dënimin për dy vite, deri në prill 2025 me 5 vota dënim dhe 4 pafajësie , deklaron se e ka pritur i surprizuar vendimin në fjalë dhe do të asistojë lojtarin, në prezantimin e një rekursi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, pasi kupton se nuk ka patur asnjë lloj mashtrimi dhe asnjë tentativë për të justifikuar aplikimin e këtij dënimi”./UBTNews/