UBT News

​Pezullohen zgjedhjet lokale në Tiranë, Kushtetuesja ngrin dekretin e Begajt

Zyrtarisht, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka ngrirë dekretin e presidentit Bajram Begaj që vendosi datën 9 nëntor si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve për bashkinë Tiranë.

Gjykata tha se vendimi u mor njëzëri dhe se padia e ish-kryebashkiakut Erjon Veliaj kalon në seancë plenare publike që do të mbahet më datën 31 tetor.

Vendimi i pezullimit të dekretit të presidentit Begaj do të thotë se për Tiranën gjykata kushtetuese urdhëron të mos ketë zgjedhje lokale, ndërkohë që më herët avokatët e Veliaj e konsideruan shkelje të rëndë kushtetuese dekretimin e datës së zgjedhjeve për sa kohë sipas mbrojtjes e trajtoi shkarkimin e Veliajt si një çështje administrative, duke prodhuar sipas tyre një akti juridik të pavlefshëm.

Po në kushtetuese Erjon Veliaj ka kundërshtuar edhe shkarkimin nga detyra e kryetarit të bashkisë së Tiranës, që nuk u paraqit në detyrë siç thotë ai për shkak të pamundësisë sepse është i paraburgosur nën akuzat për korrupsion ndërkohë që çështja është në seancë paraprake.

Pas kësaj padie avokatët shtuan edhe një pikë tjetër, ku kërkohej pezullim i dekretit derisa gjykata të shprehet për tërësinë e çështjes.

Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se pas shqyrtimit të animimit të bërë nga Veliaj, se në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (Erion Veliaj), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.

Zyra e presidentit Begaj në një njoftim për mediat deklaroi se respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesës që përcakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Tiranës të dekretit me nr.350, datë 01.10.2025”, thuhet në deklaratë./S.K/KP/TopChannel/

 

Exit mobile version