Pasi që janë paraqitur kërkesat për t’i anuluar ndeshjet për shkak të rasteve të shumta me Covid-19, bordi i Premier Ligës angleze ka vendosur që t’i pezullojë dy ndeshje të këtij vikendi.
Bëhet fjalë për dy ndeshjet hapëse të së dielës mes Wolverhampton e Watford dhe Liverpool e Leeds United, ndeshje këto të cilat ishin të parapara të zhvillohen nga ora 13:30.
“Liga është e vëmendshme që këto vendime për të pezulluar këto dy ndeshje do të mërzisë tifozët dhe e kupton zhgënjimin e tyre në një kohë speciale të vitit kur tifozët kanë mendjen që të jenë të pranishëm dhe t’i shikojnë ndeshjet e futbollit”, shkruante në komunikatën e Premier Ligës angleze.
“Liga ka për qëllim që të ofrojë sa më shumë informacione që është e mundur, por fatkeqësisht pezullimet ndonjëherë ndodhin në momentet e fundit, pasi që siguria është prioritet. Liga do të përpiqet që të mbaj tifozët e përditësuar nëse ndeshjet mund të jenë në rrezik për pezullim”, shkruante më tej në komunikatën për media të Premier Ligës.
Bordi i Premier Ligës morri vendim që për shkak të rasteve të shumta me Covid-19 dhe të lëndimeve brenda skuadrave, ndeshjet e xhiros së 19 mes Wolverhampton e Watford dhe Liverpool e Leeds të pezullohen.