Çmimet e gazit me shumicë në Britaninë e Madhe dhe BE janë rritur sërish 17% pasi rregullatori gjerman i energjisë pezulloi miratimin e gazsjellësit të diskutueshëm ”Nord Stream 2” nga Rusia në Gjermani, sipas BBC.
Ai tha se kompania operuese duhej të ishte në përputhje me ligjin gjerman përpara se të certifikonte projektin prej 10 miliardë eurosh.
Kritikët kanë frikë se ”Nord Stream 2” do të rrisë varësinë energjetike të Evropës nga Rusia.
I shtrirë nën detin Baltik, ”Nord Stream 2” do të dyfishojë eksportet e gazit rus drejt Gjermanisë, por do të anashkalojë gjithashtu Ukrainën, e cila do të goditet rëndë nga humbja e tarifave të tranzitit.
Bizneset gjermane kanë investuar shumë në këtë gazsjellës prej 1 225 kilometrash dhe ish-kancelari Gerhard Schroeder ka luajtur një rol të madh në zhvillimin e tij.
Çmimet e gazit ishin tashmë të larta edhe përpara këtij pengimi të fundit për projektin. Një dimër i ftohtë në Evropë vitin e kaluar bëri presion të mëtejshëm mbi furnizimet dhe, si rezultat, nivelet e gazit të depozituar janë shumë më të ulëta se normalja.
Armë politike
Rregullatori gjerman tha se “do të ishte e mundur të certifikohej një operator i gazsjellësit ‘Nord Stream 2’ vetëm nëse ai operator do të organizohej në një formë ligjore sipas ligjit gjerman”.
Vendimi ka të ngjarë ta shtyjë projektin disa muaj dhe, edhe kur të marrë miratimin gjerman, do të kërkojë një dritë jeshile nga Komisioni Evropian.
Rregullatori tha se procedura e miratimit të tij do të mbetet e pezulluar derisa “asetet kryesore dhe burimet njerëzore” të transferohen nga kompania mëmë me bazë në Zvicër ”Nord Stream 2” në filialin e saj gjerman, i cili zotëron dhe operon pjesën gjermane të gazsjellësit.
Ukraina ka kundërshtuar ”Nord Stream 2”, të përshkruar nga presidenti Volodymyr Zelensky si një “armë e rrezikshme gjeopolitike”.
Këtë javë, kryeministri britanik Boris Johnson tha se së shpejti do të vinte një zgjedhje “midis vendosjes së hidrokarbureve ruse në tubacionet e reja gjigante dhe mbështetjes për Ukrainën dhe mbrojtjes së kauzës së paqes dhe stabilitetit”.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha së fundmi se ”Rusia mund të vendosë sanksione të mëtejshme nëse ajo përdor gazsjellësin kundër Ukrainës”.
Vendimi i rregullatorit gjerman për të pezulluar certifikimin është mirëpritur nga firma ukrainase e energjisë ”Naftogaz”. Dhe kompania polake e gazit PGNiG u përgjigj me një thirrje për solidaritet energjetik në BE për të garantuar sigurinë e furnizimeve.
Konsorciumi ”Nord Stream 2” nuk pranoi të komentojë mbi vonesat e mundshme në eksportet e gazit.
Qeveria gjermane vlerëson se “gazi natyror do të vazhdojë të japë një kontribut të rëndësishëm në furnizimin me energji në Gjermani gjatë dekadave të ardhshme”, duke thënë se është “më miqësor ndaj klimës në krahasim me lëndët djegëse të tjera fosile pasi prodhon më pak CO2″.
Por, grupet mjedisore në vend si ”Deutsche Umwelthilfe” kundërshtojnë ”Nord Stream 2” duke argumentuar se është i papajtueshëm me qëllimet e Gjermanisë për emetimet në betejën kundër ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.