UBT News

Pezullimi i Dialogut Strategjik, SHBA sigurojnë që do jenë mik i popullit të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës javën e kaluar kanë pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën pas ngritjes së shqetësimeve të SHBA lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë kujdestare që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës tha se e Ngarkuara me Punë, Anu Prattipati ka zhvilluar paraprakisht takime të rregullta me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Sipas Ambasadës së SHBA-së, ata kanë shprehur shqetësimet e tyre drejt kryeministrit në takimet e zhvilluara.

“E Ngarkuara me Punë ka takime të rregullta me Kryeministrin në detyrë Kurti.Ne i kemi shprehur shqetësimet tona drejtpërdrejt Kryeministrit në këto takime dhe e kemi bërë qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara shumë të qartë”, thuhet në përgjigjjen e Ambasadës së SHBA.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës sigurojnë që do të jenë mik i ngushtë i popullit të Kosovës, megjithatë potencon se nxisin partnerët të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë në rajon.”Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë.Megjithatë, Shtetet e Bashkuara i nxisin partnerët tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë”, thuhet tutje në përgjigjjen e tyre.

Po ashtu, Ambasada e SHBA-ve në Kosovë thotë se ka nevojë për një partner që kupton nevojën për të shmangur veprimet destabiluzuese për të çuar përpara stabilitetin rajonal.

“Ne duam të ecim përpara me qeverinë në detyrë, por na duhet një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe është i përkushtuar për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë. Nuk kemi asgjë tjetër për të njoftuar në këtë pikë”.
Lidhur me vendimin e pezullimit të Dialogut Strategjik me Kosovën nga ana e SHBA-ve kanë reaguar liderë të ndryshëm opozitarë në vend.
Sipas tyre ky është një dëm i madh politik dhe diplomatik i Qeverisë në detyrë./S.K/KP/

Exit mobile version