Në kuadër të lëndës “Sjellja Konsumatore e Avancuar”, studentët e nivelit master në programin e Fakultetit MBE – Marketing dhe Shitje në UBT patën mundësinë të zhvillojnë një ligjëratë të hapur me të ftuarin special, Petrit Kllokoqi, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ndërmarrës i suksesshëm dhe pronar i franshizës Bagolina.
Gjatë këtij takimi, Kllokoqi ndau me studentët përvojën e tij profesionale dhe rrugëtimin në botën e biznesit, duke u ndalur veçanërisht te motivimi, sfidat, vendimmarrja dhe qëndrueshmëria përballë ngritjeve dhe rënieve që e karakterizojnë ndërmarrësinë.
Përmes shembujve konkretë nga përvoja e tij, ai prezantoi sfidat me të cilat është përballur, përpjekjet për t’i tejkaluar ato dhe rëndësinë e këmbënguljes në ndërtimin dhe zhvillimin e një biznesi të suksesshëm.
Një dimension veçantë i ligjëratës ishte edhe rrëfimi për ekspeditën e tij drejt majës së Everestit. Kllokoqi ndau me studentët përvojat, sfidat fizike dhe mendore, si dhe përkushtimin e nevojshëm për të përballuar një sfidë të jashtëzakonshme, duke përcjellë mesazhin se suksesi, qoftë në biznes apo në jetë, kërkon guxim, disiplinë dhe vendosmëri.
Ligjërata u karakterizua edhe nga bashkëbisedimi interaktiv, ku studentët patën mundësi të parashtrojnë pyetje, të ndajnë mendimet e tyre dhe të marrin përgjigje e këshilla të vlefshme nga i ftuari.
Kjo ligjëratë e hapur përfaqëson një tjetër mundësi për studentët e UBT-së që njohuritë teorike t’i ndërlidhin me përvojat konkrete të profesionistëve dhe ndërmarrësve të suksesshëm, duke pasuruar përvojën e tyre akademike me perspektiva praktike nga tregu.
