UBT News

​Peticioni arrin mbi 10 mijë nënshkrime, tifozët e Bayernit i kërkojnë klubit ta mbajë Tuchelin

“The Telegraph” bën të ditur se tifozët e Bayern Munichut i kanë kërkuar klubit që të mbajë Thomas Tuchel si trajner të tyre për sezonin e ardhshëm, duke thënë se kandidatët e tjerë nuk i afrohen 50-vjeçarit.

Një peticion i titulluar “Ne duam Juppel (Tuchel) dhe jo (Ralf) Rangnick!” ka më shumë se 10 mijë nënshkrime, peticion ky që filloi të martën.

Trajneri i Austrisë, Ralf Rangnick e konfirmoi në fillim të kësaj jave se ishte në bisedime me Bayernin për zëvendësimin e Tuchel. Trajneri fitues i titullit të Bayer Leverkusen, Xabi Alonso, kishte qenë më parë favorit për të marrë drejtimin përpara se të njoftonte muajin e kaluar se do të mbetet me klubin e tij aktual sezonin e ardhshëm dhe trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann refuzoi mundësinë për t’u kthyer në Bayern dhe zgjodhi të vazhdojë me kombëtaren javën e kaluar.

Bayerni njoftoi se Tuchel do të largohej nga klubi në fund të sezonit në shkurt, pas diskutimit konstruktiv midis shefit ekzekutiv të klubit Jan-Christian Dreesen dhe Tuchel.

“Pavarësisht mbulimit negativ të medias që e rrethon atë dhe situatës së personelit me ekipin e Munihut të dëmtuar nga lëndimet, fituesi i Ligës së Kampionëve e çoi ekipin e tij në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”, thuhet në peticion.

“Me gjithë respektin e duhur për kandidatët si (trajneri i Aston Villas, Unai Emery apo Rangnick), këta trajnerë nuk mund t’i afrohen ‘Juppel’ (Tuchel). Duke marrë parasysh që ‘Finale Dahoam’ (finalja e Ligës së Kampionëve në Allianz Arena) do të zhvillohet sezonin e ardhshëm, Bayern Munich në fakt duhet të jetë i lumtur që ka një trajner kaq të jashtëzakonshëm të Ligës së Kampionëve si TT (Tuchel)”, shkruhej më tej në peticion.

Exit mobile version