UBT News

​Peshëngritësi iranian debuton sot për Kosovën në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes

Kampioni Olimpik i Rio 2016, Kianoush Rostami, do të garojë sot për herë të parë nën flamurin e Kosovës.

Peshëngritësi me famë botërore pritet të debutojë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Forde të Norvegjisë.

Rostami do të garojë në kategorinë deri në 94 kilogramë, me nisjen e garës së tij të parashikuar për në orën 19:30.

Peshëngritësi iranian, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën në fillim të këtij viti, ka qenë më parë pjesë e përfaqësueses së Iranit deri në vitin 2022.

Pas mosmarrëveshjeve me Federatën e vendit të tij, ai vendosi të ndryshojë përfaqësim dhe t’i bashkohet ekipit të Kosovës.

Rostami ka një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare pasi që është fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike “Rio 2016” dhe i medaljes së argjendtë në “Londër 2012”.

Po ashtu, numëron tri medalje botërore: dy të arta dhe një të argjendtë.

Bazuar në rezultatet dhe përvojën e tij, Rostami është një nga kandidatët kryesorë për të siguruar një medalje botërore për Kosovën./S.K/KP/

Exit mobile version