Pesë xhudistë të Kosovës do të garojnë të premten në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke sjellë pritshmëri të mëdha për medalje dhe tituj kampionësh.
Do të ishte befasi nëse Kosova nuk do ta pasuronte bilancin e saj me disa medalje, ndërsa synimi për të fituar edhe ndonjë titull të kampionit, përkatësisht një vend në shkallën më të lartë të podiumit, është më se i arsyeshëm.
Kosova deri më tani ka fituar vetëm një medalje në “Taranto 2026”. Ajo është e arta e boksieres Donjeta Sadiku, e cila e siguroi të enjten. Sportistët e tjerë kosovarë, deri tani, nuk kanë arritur t’i afrohen podiumit.
Në fakt, pritshmëritë kryesore për medalje kanë qenë të orientuara te xhudoja. Të premten në tatami do të paraqiten Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë, Fatjona Kasapi në kategorinë deri 52 kilogramë, Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë, Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kilogramë dhe Dardan Cena në kategorinë deri 81 kilogramë.
Një ditë më vonë, të shtunën, garojnë Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë dhe Shpati Zekaj në kategorinë deri 100 kilogramë.
Duke parë nivelin e xhudistëve kosovarë, Lojërat Mesdhetare nuk konsiderohen një sfidë e paarritshme për ta, edhe përkundër mungesës së Distria Krasniqit, bindshëm njëra prej sportisteve më të suksesshme të Kosovës.
Dominimi i xhudos kosovare në këtë garë është dëshmuar edhe në edicionet e kaluara. Në “Tarragona 2018”, medalje të arta fituan Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Akil Gjakova, ndërsa Loriana Kuka u shpërblye me medalje të argjendtë.
Në “Oran 2022”, Distria Krasniqi, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka fituan medalje të arta, ndërsa Flaka Loxha dhe Akil Gjakova u kthyen me medalje të bronzta. Medalje të bronztë për Kosovën në atë edicion fitoi edhe boksieri Shpëtim Bajoku.
Xhudoja është sporti që i ka sjellë Kosovës rezultatet më të mëdha në arenën ndërkombëtare. Xhudistët kosovarë kanë fituar medalje në pothuajse çdo ngjarje të rëndësishme ku kanë marrë pjesë, ndërsa deri tani kanë siguruar pesë medalje olimpike, tri prej të cilave të arta.
Bëhet fjalë për medaljet më të vlefshme që mund të fitojë një sportist në karrierën e tij. Pikërisht për këtë arsye, pritshmëritë janë të mëdha që xhudistët kosovarë ta nisin fuqishëm betejën për medalje në “Taranto 2026” dhe ta shtojnë ndjeshëm bilancin e Kosovës në këto Lojëra Mesdhetare.
D.L
