UBT News

Pesë vjet qëkur nisi lëvizja #MeToo: Si e tronditi botën një hashtag?

Prej pesë vitesh, gratë kanë ndarë me publikun përvojat e tyre të ngacmimit seksual nën hashtagun #MeToo. Çka tutje?

Kur New York Times më 5 tetor të vitit 2017 publikoi një artikull për producentin e hiteve të shumta të Oscarit dhe Hollivudit, Harvey Weinstein, i cili abuzoi seksualisht me femra për dekada të tëra, nuk e imagjinoi se kjo se do të shkaktonte një fenomen global mediatik. Në këtë artikull, gazetarët Jodi Kantor dhe Megan Twohey hodhën dritë mbi ngacmimet dhe abuzimet seksuale që i kreu producenti.

Kjo rezultoi drejtpërdrejt në lëvizjen #MeToo: Pas një thirrjeje nga aktorja amerikane, Alyssa Milano, gratë ndanë përvojat e tyre të dhunës seksuale në rrjete sociale nën hashtagun “edhe unë”. Në ditën e parë, hashtag-u u përdor 200 mijë herë në Twitter. Të nesërmen, ai ishte përdorur më shumë se gjysmë milioni herë. #MeToo u bë trend në më shumë se 85 vende me degë në gjuhë të ndryshme.

Fillimisht u krijua nga aktivistja për të drejtat e njeriut, Tarana Burke, në vitin 2006 në rrjetin social Myspace. Që atëherë, gratë anembanë botës kanë protestuar kundër dhunës seksuale. Feministët në Perëndim bëjnë thirrje që sistemi të rishikohet.

Çfare ndodhi me pas?

Kanë kaluar pesë vjet dhe Harvey Weinstein po vuan dënimin me 23 vjet burg. Edhe disa të famshëm të tjerë janë dënuar me burg, psh. aktori amerikan, Bill Cosby.

Edhe fotografi francez, Jean-Claude Arnault u dënua me burg për dhunimin e një gruaje. Arnault, i cili është i njohur në skenën kulturore të Suedisë, ishte i martuar me një ish-anëtare të Akademisë Suedeze. Pas skandalit, akademia pezulloi dhënien e çmimeve në vitin 2018.

Së bashku me gazetarin Ronan Farrow, Jodi Kantor dhe MeganTwohey fituan çmimin e rëndësishëm të gazetarisë, Pulitzer për raportimin e tyre mbi këtë ngjarje. Mbi hulumtimin e tyre u realizua filmi “She Said”, nga një studio hollivudiane, me regji të regjisores gjermane, Maria Schrader.

Lëvizja #MeToo ngriti shqetësim edhe mbi të drejtat e abortit. Në vitin 2022, Gjermania lehtësoi Paragrafin 219a, të ashtuquajturin ndalim të reklamimit të abortit që e bëri të pamundur që mjekët të japin edhe informacione rreth procedurës në faqet e tyre të internetit.

Këtë vit, protestat për të drejtat e grave nën sloganin #MeToo u mbajtën në qytete të ndryshme, nga Parisi dhe Amsterdami deri në Katmandu.

Suksesi i lëvizjes dhe reagimi ndaj saj

Paralelisht me suksesin e lëvizjes, mund të vërehen edhe reagime kundër të drejtat e grave. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018, avokati Brett Kavanaugh u emërua nga ish-presidenti Donald Trump si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, gjykatën më të lartë të vendit – edhe pse ai u përball me akuza të rënda për sulm seksual.

Në vitin 2022, Gjykata e Lartë e ShBA-së anuloi një vendim gjykate të vitit 1973 (i njohur si “Roe vs Wade” sipas emrave të gruas paditëse dhe prokurorit) që kishte vendosur për dekada të drejta federale të abortit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe Hungaria gjithashtu shtrëngoi të drejtat për abortin.

Dhe së fundmi, përballja në gjyq e Amber Heard me ish-bashkëshortin e saj, Johnny Depp, ua dëshmoi grave se edhe pse kanë guxim të dalin e të flasin publikisht mbi përvojat e dhunës seksuale, ato ende përballen me përbuzje e nënçmim.

Vepra në vend të fjalëve

Ndërkohë që gratë në Afganistan dhe Iran po rrezikojnë jetën e tyre për të mbrojtur të drejtat e tyre njerëzore pesë vjet pas nisjes së lëvizjes #MeToo, feministja britanike, Laura Bates po i bën thirrje Perëndimit që të ecë përpara me diskutim. Në librin e saj “Fix the Women, Not the System”, ajo bën thirrje për reforma urgjente në drejtësi, polici, politikë, arsim dhe media./UBTNews/

Exit mobile version