Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi një avion transportues i Amazon doli nga pista gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit të dielën pasdite, duke goditur disa automjete dhe më pas duke u përfshirë nga zjarri.
Pesë persona të tjerë u lënduan në aksident, bëri të ditur shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Miami-Dade, Raied “Ray” Jadallah, gjatë një konference për media të dielën në mbrëmje.
Tre prej të lënduarve janë në gjendje kritike dhe janë dërguar në një qendër traumatologjike, ndërsa dy të tjerë janë transportuar në një spital lokal.
Sipas Jadallah, disa nga viktimat kishin mbetur të bllokuara brenda automjeteve që u goditën nga avioni dhe ekipet e shpëtimit u detyruan t’i nxirrnin nga to.
Avioni, një Boeing 767-300 për transport mallrash, po fluturonte nga San Juani i Porto Rikos drejt Miamit. Administrata Federale e Aviacionit e Shteteve të Bashkuara bëri të ditur se fluturakja doli nga pista pasi u ul në Miami rreth orës 14:00.
Ende nuk dihet arsyeja pse avioni nuk arriti të ndalej.
Sipas të dhënave të faqes për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24, avioni po lëvizte me shpejtësi prej afro 209 kilometrash në orë kur doli nga pjesa e përdorshme e pistës.
CNN, pas shqyrtimit të komunikimeve ndërmjet pilotëve dhe kontrollit të trafikut ajror, raportoi se ekuipazhi nuk kishte shpallur gjendje emergjente para uljes, transmeton KosovaPress.
Më shumë se 60 njësi të emergjencës mbërritën në vendin e ngjarjes, ku gjetën avionin të përfshirë nga flakët, ndërsa një re e dendur tymi të zi ishte ngritur mbi zonë.
“Djema, avioni është në zjarr. Avioni është në zjarr. Bëhuni gati”, dëgjohet duke thënë një pjesëtar i ekipeve të emergjencës në komunikimet e siguruara nga Broadcastify.
Ekipet e shpëtimit raportuan se pilotët ishin nxjerrë nga avioni dhe po merrnin trajtim mjekësor. Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë e ditur.
Zyra e Sherifit të Miami-Dade njoftoi se autoritetet po punojnë për konfirmimin e identitetit të personave që humbën jetën. Për familjarët është hapur gjithashtu një linjë e posaçme telefonike për informacione./A.K/
