Pesë shtetas shqiptarë, prej të cilëve tre të mitur, janë riatdhesuar nga Siria pas një procesi të gjatë dhe të vështirë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se përpjekjet për kthimin e shtetasve të tjerë shqiptarë që ende ndodhen në Siri do të vazhdojnë.
“Pesë shtetas shqiptarë, nga të cilët 3 të mitur, u riatdhesuan nga Siria pas një procesi të gjatë dhe të vështirë, ndërkohë që vijon përpjekja për riatdhesimin e atyre që kanë mbetur ende në Siri”, ka shkruar Rama.
Pesë personat e riatdhesuar janë gra dhe fëmijë.
Edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë të ditur se operacioni është zhvilluar pas një pune të gjatë dhe të kujdesshme, në koordinim me përfaqësitë diplomatike e konsullore dhe autoritetet e vendeve të përfshira.
Pas mbërritjes në Shqipëri, të riatdhesuarve do t’u ofrohet asistenca e nevojshme, ndërsa do t’u bëhen edhe vlerësime shëndetësore dhe psikosociale.
Institucionet shqiptare do të vijojnë punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri, si dhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë nga Siria, kur të krijohen kushtet për kthimin e tyre të sigurt./A.K/
