Policia e Kosovës ka regjistruar pesë raste të dhunës në familje në disa rajone të vendit, ku përfshihen sulme fizike, psiqike dhe tentativa për sulm. Rastet janë raportuar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Istog, Deçan dhe Mitrovicë të Jugut.
Në Fushë Kosovë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Në Prishtinë një burrë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një grua. Rasti ndodhet nën hetime nga njësitë përkatëse.
Ndërsa në Istog një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psiqike ndaj dy personave, një gruaje dhe një burri. Rasti vazhdon të hetohet.
Edhe në Deçan një grua ka njoftuar se bashkëshorti i saj ka tentuar ta sulmojë fizikisht. I dyshuari nuk është takuar në shtëpi nga policia dhe rasti mbetet nën hetime.
Një grua në Mitrovicë e Jugut ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante policore. /E.A/
