Tri raste të dhunës në familje janë regjistruar në Prishtinë dhe dy të tjera në Pejë gjatë 24 orëve të fundit, bën të ditur Policia e Kosovës.
Në Prishtinë, një burrë është arrestuar pasi në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë psikike ndaj një burri tjetër. Po ashtu në kryeqytet, një burrë tjetër është arrestuar për dhunë fizike e psikike ndaj gruas së tij, e cila ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në rastin e tretë në Prishtinë, një burrë ka demoluar shtëpinë dhe ka shtyrë një grua, e cila ka pësuar lëndime por ka refuzuar ndihmën mjekësore. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë në Pejë, një grua është arrestuar pasi ka ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj një burri. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara, bazuar në udhëzimin e psikiatrit, është dërguar për shërim në repartin e psikiatrisë.
Po ashtu në Pejë, një burrë është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht një grua dhe një burrë. Të lënduarit kanë marrë tretman mjekësor, ndërsa nga i dyshuari është sekuestruar një thikë dhe ai është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit. /E.A/
