UBT News

Pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë regjistruar pesë raste të dhunës në familje. Rastet janë shënuar në Ferizaj, Podujevë, Pejë, Malishevë dhe Mitrovicë të Jugut.

Në Ferizaj, një person ka sulmuar fizikisht nënën dhe motrën e tij pas një konflikti verbal. Dy viktimat kanë marrë tretman mjekësor dhe janë dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Podujevë, një burrë ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij. I dyshuari, i cili është përdorues i lëndëve narkotike, është dërguar për trajtim mjekësor në Psikiatri dhe më pas është arrestuar me vendim të prokurorit.

Në Pejë, një e mitur ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga nëna dhe njerku i saj. Viktima ka marrë ndihmë mjekësore dhe është dërguar në strehimore, kurse dy të dyshuarit janë arrestuar.

Në Malishevë, një person ka sulmuar motrën e tij, si dhe ka lënduar babain që ka ndërhyrë për t’i ndarë. Dy të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.

Në Mitrovicë të Jugut, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj ushtron dhunë të vazhdueshme ndaj saj. Viktima ka kërkuar masë mbrojtëse nga policia, ndërsa ka refuzuar strehimin.

Të gjitha rastet po vazhdojnë të hetohen nga policia dhe prokuroritë përkatëse.

 

Exit mobile version