UBT News

Pesë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Policia e Kosovës ka regjistruar pesë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë, Ranillug, Gjakovë dhe Skenderaj, ku janë përfshirë sulme fizike, dhunë psikike dhe kanosje ndaj familjarëve.

Në Prishtinë, policia ka arrestuar një person nën dyshimin për ushtrim të dhunës psikike ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar menjëherë në mbajtje.

Në një tjetër incident në Ranillug, një burrë është sulmuar fizikisht nga një anëtar i familjes. Viktima ka marrë tretmanin e nevojshëm mjekësor, ndërsa i dyshuari është prangosur nga forcat e rendit dhe po ashtu është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Gjakovë janë regjistruar dy raste të ndara. Në rastin e parë, një grua ka pësuar lëndime trupore pas sulmit fizik nga një anëtar i familjes. Viktima ka pranuar ndihmë mjekësore, ndërsa dorasi është dërguar në mbajtje. Po në këtë komunë, një tjetër i dyshuar ka tentuar të sulmojë fizikisht dhe ka kanosur një anëtar të familjes; ai ka arritur të arratiset dhe aktualisht ndodhet në kërkim policor.

Ndërkaq, një rast tjetër i sulmit fizik është proceduar në Skenderaj, ku një i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor pasi kishte sulmuar fizikisht një grua. Pasi viktimës i është ofruar tretmani mjekësor dhe është kryer intervistimi i palëve, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt. /E.A/

Exit mobile version