UBT News

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve në Kosovë, në Podujevë, Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Prizren.

Në Podujevë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit ka shkuar te familjarët e saj. I dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër është raportuar në Prishtinë, ku një grua dhe një burrë dyshohet se janë përleshur fizikisht pas një mosmarrëveshjeje. Si pasojë, njëri prej tyre ka pësuar lëndime dhe ka marrë tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dy janë liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Në Fushë Kosovë, një grua shtetase e Shqipërisë dyshohet se është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar me thikë nga një burrë. I dyshuari është arrestuar dhe, pas përfundimit të procedurave, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërkohë, në Prishtinë, policia ka arrestuar një burrë në kuadër të hetimeve për një rast të raportuar më herët. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me një karikator me 14 fishekë. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Edhe në Prizren është raportuar një rast i dhunës në familje, ku një burrë dyshohet se ka shkuar në shtëpinë e viktimës dhe ka kanosur një grua. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit. /E.A/

Exit mobile version