UBT News

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Brenda 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar pesë raste të dhunës në familje, në Prishtinë, Fushë Kosovë, Pejë dhe Gjakovë.

Në Prishtinë janë raportuar dy raste të ndara. Në rastin e parë, një person është shoqëruar në polici pasi dyshohet se sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij pas një mosmarrëveshjeje. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Po në kryeqytet, një tjetër grua ka raportuar bashkëshortin për dhunë psikike dhe shantazh. Megjithëse i dyshuari i ka mohuar akuzat gjatë intervistimit, rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.

Tensionet mes ish-partnerëve kanë nxitur reagimin e policisë edhe në Fushë Kosovë, ku një grua ka denoncuar ish-të dashurin e saj për kanosje përmes telefonit. Rasti është duke u hetuar nga autoritetet përkatëse, ndërsa i dyshuari ende nuk është intervistuar.

Situata ka shkallëzuar edhe në rajonin e Dukagjinit, ku policia ka ndërhyrë për të arrestuar dy persona. Në Pejë, një burrë është dërguar në mbajtje pasi ka përdorur dhunë fizike, fyerje dhe kërcënime ndaj familjarëve të tij.

Ndërkaq, në Gjakovë është arrestuar një tjetër person, i cili kishte kanosur babanë dhe anëtarët e tjerë të familjes, duke u dërguar po ashtu në mbajtje me vendim të prokurorit. /E.A/

Exit mobile version