Policia e Kosovës ka njoftuar për pesë raste të dhunës në familje të ndodhura gjatë 24 orëve të fundit në rajone të ndryshme.
Sipas raportit, rastet kanë rezultuar me arrestimin e të dyshuarve dhe dërgimin e tyre në mbajtje me vendim të prokurorit.
Rasti i parë është raportuar në Prishtinë, ku pas një mosmarrëveshjeje “dy viktimat gra kosovare janë sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar”.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori.
Në Drenas është arrestuar një i dyshuar pasi “dyshohet se i ka sulmuar anëtarët e familjes”. Policia bën të ditur se “viktimat dhe i dyshuari kanë pranuar trajtim mjekësor”, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq në Pejë janë regjistruar dy raste të ndara.
Në rastin e parë, është arrestuar një burrë pasi “dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës grua kosovare”.
Për këtë rast nuk raportohet për të lënduar, por i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në rastin tjetër po në Pejë, janë arrestuar dy persona, një burrë dhe një grua, pasi “të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë fjalosur në mes vete”.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Edhe në Gjakovë është raportuar për një incident ku viktima grua është sulmuar fizikisht nga e dyshuara grua kosovare.
Sipas policisë, me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje dhe rasti po trajtohet si dhunë në familje.
