Real Madridi i José Mourinhos po merr gradualisht formë, ndërsa tashmë kanë filluar të dallohen qartë lojtarët kryesorë mbi të cilët trajneri portugez po ndërton projektin e tij të ri.
Sipas “Marca”, vetëm pesë futbollistë të ekipit të parë kanë qenë titullarë në të gjashtë ndeshjet zyrtare të zhvilluara deri më tani. Edhe pse është ende herët për të nxjerrë përfundime përfundimtare, ky pesësh duket se përbën boshtin e skuadrës, të paktën derisa përforcimet e reja të përshtaten plotësisht.
Në këtë grup bën pjesë fillimisht Thibaut Courtois. Portieri belg, pavarësisht se po i afrohet moshës 35-vjeçare, vazhdon të paraqitet në nivel të lartë dhe mbetet një prej pikave më të sigurta të formacionit madrilen. Mourinho nuk duket se ka ndërmend t’i japë pushim, pasi Courtois vazhdon të gëzojë besimin maksimal të trajnerit.
Krahas tij janë edhe tre prej emrave më të rëndësishëm të repartit ofensiv: Kylian Mbappé, Jude Bellingham dhe Vinícius Junior.
Mbappé dhe Bellingham e kanë nisur sezonin në mënyrë fantastike. Francezi ka realizuar shtatë gola dhe ka dhuruar një asistim, ndërsa anglezi ka shënuar tri herë dhe ka regjistruar tri asistime.
Ndërkohë, Vinícius Junior ende po kërkon të rikthejë formën dhe vetëbesimin e tij më të mirë. Pavarësisht kritikave dhe vërshëllimave të tifozëve, Mourinho vazhdon t’i besojë brazilianit dhe duket i vendosur ta mbajë atë si një prej pjesëve kryesore të projektit të tij.
Pesëshen e plotë e mbyll Federico Valverde. Uruguaiani e kishte përfunduar sezonin 2025/26 mes shumë pikëpyetjesh, ndërsa përplasja me Aurélien Tchouaménin kishte ndikuar në pozitën e tij brenda skuadrës.
Megjithatë, Mourinho duket se ka arritur ta lërë pas atë situatë dhe t’ia rikthejë Valverdes rëndësinë që kishte në formacion. Fakti se mesfushori uruguaian ka qenë titullar në të gjitha ndeshjet e deritanishme tregon qartë se ai vazhdon të jetë një prej lojtarëve më të besuar të trajnerit portugez.
Courtois, Mbappé, Bellingham, Vinícius dhe Valverde – ky është, të paktën në këtë fazë të sezonit, boshti mbi të cilin Mourinho po ndërton Real Madridin e tij të ri.
D.L
