UBT News

Pesë kompani vendore e ndërkombëtare aplikojnë në tenderin e ri për KEK-un

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë hapjen e ofertave zyrtare të aplikimeve të operatorëve ekonomikë në fazën parakualifikuese për projektin “Rehabilitimi dhe Modernizimi i njësisë A3 në TC Kosova A”.

Në këtë tender, sipas KEK-ut, kanë aplikuar pesë kompani/konsorciume vendore e ndërkombëtare të cilat janë: “SBB Energy S.A; Intering SH.PK, EthosEnergy”, “LIMAK INSAAT SANAYI ve TICARET A.S”, “GOLDEN CONCORD GROUP LIMITED”, “KEPCO Plant Service Engineering Co.LTD, DYPNF Co., Ltd, BHI CO, Ltd” dhe “HIB Petrol SH.P.K; Florian Viqa; NTPC Limited”.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ofertat janë nga kompani prestigjioze që vijnë nga shtete të ndryshme dhe sipas saj, investimi potencial nga ndonjëra nga këto konsorciume/kompani, blloku A3 i TC Kosova A do të vazhdojë të shërbejë edhe për së paku 20 vite të tjera.

Ajo thotë se investimi prej mbi 137 milionë euro nga mjetet vetanake të KEK-ut do të sjellë përfitime të shumëfishta.

“Do të prodhojë më shumë: 215 megavat bruto, nga vetëm 130-140 sa ka aktualisht, do të punojë më gjatë: nga 5,400 orë operimi në vit, në 7,700 orë operimi në vit, do të djegë më pak qymyr: nga 1,6 tonë thëngjill aktualisht, në 1,15 tonë dhe do të ndotë më pak: duke përmbushur standardet mjedisore të BE-së”, theksoi ajo.

Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Gramoz Hashani tha se ky është një moment historik i sektorit elektroenegjetik të Kosovës.

Tenderi i parë prej 137 milionë eurosh i KEK-ut për projektin e njëjtë, “Rehabilitimi dhe Modernizimi i njësisë A3 në TC Kosova A”, u pezullua në fillim të këtij muaji mbi dyshime për skemë korruptive, kështu të paktën sipas deputetës së LDK-së, Hykmete Bajrami./Ekonomia Online

 

Exit mobile version