Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, duke propozuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, të akuzuarit me inicialet P.N., Z.D., I.I., S.M. dhe J.D., dyshohet se si pjesëtarë të Policisë serbe në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, kanë kryer krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Aktakuza i ngarkon ata për ngjarjet e datës 6 maj 1999, kur sipas pretendimeve të prokurorisë, kanë ndaluar dhe marrë me forcë pesë civilë. Viktimat më pas janë transportuar nga stacioni i trenit në një lokacion të njohur si “Megja”, ku dyshohet se janë ekzekutuar me armë zjarri.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka propozuar zhvillimin e procedurës gjyqësore në mungesë të të pandehurve, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi për rastet e krimeve të luftës.
Rasti pritet të trajtohet nga gjykata kompetente, e cila do të vendosë lidhur me konfirmimin e aktakuzës dhe vazhdimin e procedurave gjyqësore.
