Në zemrën e qytetit të Shkodrës, aty ku takohen tradita dhe bashkëkohësia, po përgatitet një festë kulturore e papërsëritshme. Edicioni i 7-të i festivalit “Ekrani i Artit” do të shpalosë bukurinë e artit në të gjitha format e tij, duke e kthyer qytetin në një qendër të gjallë artistike për pesë ditë rresht.
“Ka shumë për të zbuluar nga ky edicion”, thuhet në faqen online të “Ekranit të Artit”. E vërteta është se pritet një spektakël i vërtetë ku do të shfaqen krijimet e fundit të artistëve të mirënjohur si Anri Sala, Roland Sejko, Driant Zeneli, Alice Rohrwacher, Lek Gjeloshi dhe shumë të tjerë.
Në këtë edicion të “Ekranit të Artit” do të prezantohen 45 filma, 3 ekspozita, 4 instalacione, performanca të ndryshme dhe biseda me të ftuar specialë. Një mozaik ngjyrash, formash dhe tingujsh do të shoqërojnë vizitorët gjatë gjithë festivalit, duke krijuar një atmosferë magjike të mbushur me muzikë dhe vallëzim, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Nën temën e këtij viti “Vetmia dhe Shumësia”, festivali do të eksplorojë dimensionet e thella të ndjenjave njerëzore, duke na ftuar të reflektojmë mbi kontrastet dhe harmoninë e jetës. Ky udhëtim artistik nis më datën 5 qershor dhe do të vazhdojë deri më 9 qershor, duke e kthyer Shkodrën në një destinacion të vërtetë për të gjithë dashamirësit e artit. “Ekrani i Artit” premton të jetë një aventurë unike, ku secili moment është një mundësi për të zbuluar, ndjerë dhe përjetuar artin në të gjitha format e tij. /UBTNews/
D.E