UBT News

Pesë ankesa në PZAP shtyjnë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve

Pesë ankesa janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke shtyrë përkohësisht procesin e certifikimit të tyre.

Sipas të dhënave të publikuara nga PZAP, ankesat janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lista Serbe dhe Nova Demokratska Stranka (NDS). Dy ankesa janë dorëzuar nga PDK, dy nga NDS dhe një nga Lista Serbe.

Lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha se institucioni nuk komenton rastet që ndodhen në procedurë ankimore.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk komenton çështjet që janë në proces ankimor. Si në çdo rast, KQZ do t’i përgjigjet, brenda afatit, kërkesës së PZAP-it, institucionit kompetent për shqyrtimin e ankesave në procesin zgjedhor, duke sqaruar të gjitha çështjet e nevojshme”, ka deklaruar Elezi.

Ai theksoi se certifikimi i rezultateve do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore.

“Pasi ndaj rezultateve përfndimtare të shpallura nga KQZ janë parashtruar disa ankesa, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme, të zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime për KQZ dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Elezi.

Ankesat kanë të bëjnë kryesisht me pretendime për parregullsi në procesin e numërimit të votave dhe mungesë të votave.

Pas vendimit të PZAP-it, palët do të kenë të drejtë të paraqesin ankesë edhe në Gjykatën Supreme. Vetëm pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore, KQZ do të mund të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve./A.K/

Exit mobile version