Përzgjedhësi i Kombëtares së Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski, është treguar i kujdesshëm me fjalët për Kosovën, teksa ka thënë se është optimist për ndeshjen e nesërme.
Ai ka thënë se beson se nesër lojtarët e tij do të japin maksimumin si asnjëherë më parë në karrierën e tyre, duke theksuar dëshirën që edhe tifozët të lejoheshin të jenë në stadium, marrë parasysh faktin se ndeshja luhet në terrenin e Maqedonisë së Veriut.
“Nëse për diçka jam i sigurt është ajo se lojtarët nesër do ta japin maksimumin si kurrë më parë në karrierën e tyre. Është fakt se është e çuditshme të luhet në kushte të këtilla. Mirëpo, për këtë nuk është fajtor askush”, thekson Angelovski.
“Të gjithë do të dëshironim të luanim në një stadium të mbushur plot, se është përparësia e terrenit vendas, rregullat dhe kushtet janë të tilla si janë dhe ne do të japim gjithçka nga vetja që ta fitojmë atë ndeshje”, ka deklaruar Igor Angelovski për shtyp.
Faktorin e lëndimeve e përmendi edhe selektori i Maqedonisë, mirëpo u arsyetua duke thënë se që të dy skuadrat kanë mungesa.
“Të dyja skuadrat do të jenë të pakompletuara. Ne jemi pa Elmasin, kurse Kosova do të jetë pa futbollistë kyç… E respektojmë maksimalisht kundërshtarin, por kur të fillojë ndeshja do të mendojmë vetëm për fitore”, ka shtuar ai.
Nesër do të jetë një përballje interesante, ku fituesi i takimit do të sigurojë një biletë për finalen e play-off’it, që do të përballet me fituesin e ndeshjes Gjeorgjji-Bjellorusi./UBTNews