UBT News

Përvjetori i kapjes së Sadam Huseinit

Më 13 dhjetor 2003, personi më i kërkuar në Irak u arrestua. Saddam Hussein-i u gjet nga forcat amerikane, i fshehur në një vrimë jo shumë larg nga vendi ku kishte lindur ky ish-diktator.

Bota mësoi për kapjen e personit më të kërkuar në Irak, kur ish administratori amerikan në Irak Paul Bremer tha në një konferencë shtypi në Bagdad “zonja dhe zotërinj, e kapëm”.

Gazetarët arabë dhe irakianë që merrnin pjesë në konferencë brohoritën për disa minuta me radhë. Irakianët filluan të festonin në rrugët e kryeqytetit. Studentja e universitetit të Bagdadit Alia Hadi kujton dhe thotë se ishte shumë e lumtur ta shihte Sadam Huseinin në televizion, i hutuar dhe i fshehur në një vrimë. Ajo thotë se kjo ishte e drejta e fundit e të gjithë irakianëve, ta shihnin zotin e tyre ta ndëshkonte atë ashtu siç kishte ndëshkuar ai irakianët. Ajo shton se ai duhet të ndiqet penalisht dhe të dënohet me vdekje.

Rreth orës 8:30 në mbrëmje, ish diktatori 66-vjeçar u gjet i fshehur në një vrimë, afër një shtëpie fermë 15 kilometra në jug të qytetit të tij të lindjes Tikrit. Arrestimi i tij u bë si rezultat i informacioneve të siguruara nga ish-truprojat dhe të afërmit e njerëzve të afërt me ish presidentin irakian. Atij iu gjetën 750 mijë dollarë në para të thata, dy automatikë AK-47 dhe një pistoletë. 

Megjithatë, ai u dorëzua pa luftë. Një nga komandantët amerikanë që mori pjesë gjatë arrestimit tha se Sadam Huseini “u kap si miu.” Me flokët e gjatë dhe mjekrën e gjatë dhe të thinjur, Sadam Huseini dukej i hutuar dhe shumë i lodhur. Brenda pak orësh nga kapja e tij, u transmetua një videokasetë ku tregohej një doktor që ekzaminonte ish diktatorin dhe i kontrollonte edhe dhëmbët. Ky nuk ishte imazhi që shumica e irakianëve donin të shihnin.

Karim Yousef është menaxheri i përgjithshëm i Radio Dijlas, një stacion që transmeton pikëpamjet dhe mendimet e irakianëve. Zoti Yousef thotë se shumë irakianëve u erdhi keq të shihnin që Sadami u kap në atë mënyrë. Ai thotë se Sadami ka pasur pushtetin në Irak për 35 vjet me radhë dhe shumë njerëz e konsideronin të ishte trim dhe i fuqishëm. Ai thotë se ishte e trishtueshme ta shihje Sadamin të dukej kaq i hutuar, me flokët dhe mjekrën e tij të gjatë. Pamje të tilla të ish diktatorit i zemëruan ca irakianë, të cilët e panë videon si një përpjekje për ta turpëruar Sadam Huseinin. 

Megjithatë, profesori i shkencave politike në Universitetin e Bagdadit, Abdel Jabar Abdullah, thotë se këto pamje të Sadamit janë transmetuar në përpjekje për të dërguar një mesazh. “Ata me qëllim e kanë treguar këtë pamje, për t’i dërguar një mesazh, jo vetëm popullit irakian, por të gjitha vendeve arabe, për t’i thënë se kjo do të jetë e ardhmja e sundimtarit tuaj, nëse nuk bashkëpunoni me strategjinë amerikane në këtë rajon.”

Zyrtarë të Pentagonit thanë se ishte e nevojshme t’i tregonin provat popullit irakian se Sadam Huseini ishte kapur, sepse shumë irakianë kishin frikë se një ditë ish-diktatori mund të kthehej në pushtet. Sot, ish udhëheqësi irakian ndodhet në një qeli në zonën e Bagdadit. Ai pritet të dalë para një gjykate irakiane për krime lufte gjatë vitit të ardhshëm. 

Zyrtarët irakianë që e kanë parë ish udhëheqësin thonë se ai vazhdon të mos jetë i penduar për atë çfarë i ka bërë popullit irakian. Por, sipas kandidatit të mundshëm për kryeministër të Irakut, Nadim al-Jabri, fakti nëse Sadam Huseini kërkon falje apo jo nuk ka shumë rëndësi. Zoti al-Jabbri thotë se ai e dinte që zoti do ta krijonte këtë fat për Sadam Huseinin, sepse ai kishte vrarë kaq shumë irakianë. Ai thotë se Zoti ka dashur gjithmonë ta dënonte Sadamin ashtu siç kishte dënuar Sadami popullin e vet.

Exit mobile version