Në një njoftim të fundit nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, datuar më 27 maj 2024, u bë e ditur se arbërishtja është shpallur gjuhë zyrtare për shërbimet e gazetarisë dhe programeve në kanalet e RAI Calabria në Itali.
Sipas publikimit të botuar në Gazetën Zyrtare me numër 121 të datës 25 maj 2024, kjo nismë është pjesë e kontratës së shërbimit për programet e RAI Calabria për periudhën 2023-2028. Kjo kontratë zyrtarizon përdorimin e arbërishtes si gjuhë të pakicës gjuhësore historike arbëreshe, e njohur nga ligji nr. 482/99, raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Ky hap shënon një moment historik për komunitetet arbëreshe të Italisë dhe është një fitore për përpjekjet e QSPA-së në thellimin e përdorimit të gjuhës arbëreshe. Kjo nismë e rëndësishme pritet të zgjerohet edhe në rajonin e Piemonte-s, duke sjellë një përparim të rëndësishëm për të drejtat gjuhësore të kësaj komuniteti.
QSPA ka vënë në dukje rëndësinë e kësaj çështjeje nëpërmjet konferencave ndërkombëtare dhe aktiviteteve të tjera gjatë katër viteve të fundit. Kjo arritje shënon një hap të rëndësishëm përpara në përdorimin dhe njohjen e gjuhës arbëreshe në shërbimet e gazetarisë dhe në arsim në Itali, duke vënë në dukje nevojën për respektimin e diversitetit gjuhësor dhe kulturor në vend./UBTNews/