UBT News

Përurohet renovimi i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK

Sot është përuruar transformimi i Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas përfundimit të punimeve për modernizimin e hapësirave të saj.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit dhe Ambasadori i Luksemburgut, shtet ky që mbështeti financiarisht projektin.

Projekti ka përfshirë renovimin e një hapësire prej rreth 400 metrash katrorë, e cila është përshtatur për nevojat e shërbimeve kardiologjike.

Pjesë e këtij investimi është edhe funksionalizimi i Cath-Lab-it (Laboratorit të Kateterizimit) dhe vendosja e një angiografi të ri, pajisje këto që shërbejnë për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të zemrës.

Sipas njoftimit, ky transformim ka përfshirë edhe njësinë gjysmë-intenzive, punimet e së cilës kishin nisur në prill të këtij viti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se ky renovim synon rritjen e kapaciteteve për trajtimin e pacientëve dhe përmirësimin e kushteve të punës për stafin mjekësor.

Lidhur me rëndësinë e këtyre punimeve, Kryeministri Albin Kurti u shpreh se ky ndryshim është komfort standardeve moderne.

“Një hapësirë prej rreth 400 metrash katrorë është transformuar sipas standardeve moderne spitalore, duke krijuar kushte më të mira për mjekët, specialistët, infermierët dhe mbi të gjitha, kushte më dinjitoze për shërim të plotë e më të shpejtë për pacientët tanë”, deklaroi Kryeminstri Kurti.

 

Exit mobile version