Në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës është përuruar “Oda e Zejtarëve”, një projekt i dedikuar promovimit të zejeve tradicionale dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili ka vlerësuar rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin kulturor dhe turistik të komunës.
“Sot, në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, përuruam Odën e Zejtarëve – një projekt i veçantë për qytetin dhe trashëgiminë tonë kulturore”, ka deklaruar Gjini.
Sipas tij, projekti do t’u shërbejë zejtarëve lokalë si një hapësirë e dedikuar për promovimin e zejeve tradicionale, ndërsa të rinjtë dhe vizitorët do të kenë mundësi të njihen më nga afër me këtë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.
Investimi është realizuar në kuadër të projektit “Ndërlidhja e turizmit përmes trashëgimisë kulturore dhe zgjidhjeve inteligjente në Lezhë dhe Gjakovë”, i financuar nga Programi IPA Cross-Border Shqipëri–Kosovë.
Kryetari Gjini ka theksuar se zhvillimi i turizmit dhe fuqizimi i ofertës kulturore të Gjakovës mbeten ndër prioritetet kryesore të qeverisjes lokale./A.K/
